Shkolla e Magjistraturës, më datë 11 shkurt 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues, me temë: “Zbatimi i ndalimit me ligj të krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes me fokus LGBTIQ+. Efikasiteti i ndjekjes penale në rastet e dhunës me bazë gjinore. Efektiviteti i zbatimit të urdhrave të mbrojtjes dhe procedimet në rast të shkeljes së tyre”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Marsela Dervishi dhe Andi Pogaçe
Lehtësues: Adnan Hoxha
Qëllimi i këtij trajnimi është: Evidentimi i kuadrit ligjor ndërkombëtar dhe kombëtar që ka në fokus zbatimin e ndalimeve kundër krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+. Identifikimi i metodikave dhe parimeve kryesore të hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve të urrejtjes. Trajtimi i urdhrave të mbrojtjes që kanë në fokus masat në marrëdhëniet familjare ndaj komunitetit LGBTIQ+.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Evidentimi i kuadrit ligjor ndërkombëtar që ka në fokus ndalimet ligjore të krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes;
- Evidentimi i rasteve praktike nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut të ankimeve të paraqitura me fokus komunitetin LGBTI+, por jo vetëm;
- Evidentimi i koncepteve kryesore që lidhen me ndalimin ligjor të krimeve kundër urrejtjes dhe gjuhën e urrejtjes;
- Paraqitja e kuadrit ligjor vendas që ka në fokus ndalimet ligjore të krimeve të urrejtjes;
- Paraqitja e metodikave të hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale ndaj rasteve të krimeve të urrejtjes, etj.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.